Published On: Tue, Oct 20th, 2015

QAZIM HAZIR DAUTAJ DESHMORI TROPOJAN QE RA PER SHQIPERI ETNIKE

QAZIM HAZIR DAUTAJ DESHMORI TROPOJAN QE RA PER SHQIPERI ETNIKE 2.9.1952.-26.6.1998. Familja Dautaj e fshatit Gegaj të Tropojës ka një traditë atdhetare. Në luftën e Dytë Botërore, xhaxhai i Qazimit, Fazli Rrustem Dautaj, ra dëshmor si luftëtar i Brigadës 25 sulmuese e cila luftoi deri në Sanxhak, krah për krah me vëllezërit kosovarë, në luftë kundër pushtuesve serbomalazezë përkatësisht nazifashiste. Prandaj, nuk është e rastit që nga kjo familje dolën në vitin 1998 në luftë kundër regjimit kriminal të Beogradit, siç janë Qazim Dautaj dhe Arif Dautaj. Prindërit e Qazim Dautajt, Hazir dhe Razë Dautaj, kishin dy djem e një vajzë. Qazimi ishte i martuar dhe ka lënë tre djem dhe një vajzë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Gegaj të Tropojës. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u rendit qysh në vitin 1998. Ishte ushtar furnizues. Përherë ishte aty ku e lypte nevoja, bashkë me kushëririn, Arif Dautaj. Vija e tyre ishte kufiri, nga fshati i lindjes Gegaj, Padesh, Ujëz, Koshare, Gjocaj, Junik. Dëshmori Qazim Dautaj mori pjesë në luftime për çlirimin e tokës shqiptare nga forcat pushtuese serbe, që nga pragu i shtëpisë, në vijën e parë të kufirit, nga Piramida PC 4/3 dhe PC/4 tek karaullat në Padesh, Koshare, Ujëz e deri në fshatin Gjocaj dhe Junik dhe së fundi, si ushtar furnizues, pas një ekspedite që sollën armatim në brendi të Kosovës, duke u kthyer me disa shokë, ra në një pritë serbe në Babaj të Bokës, ku edhe ia dhuroi jetën Kosovës bashkë me Arif Dautajn, më 26 qershor 1998. Në një luftë të ashpër me forcat serbe, trimat nga Gegajt e Tropojës, luftuan deri në fishekun e fundit, duke iu shkaktuar forcave serbe edhe shumë të vrarë. Sot, trupi i këtyre dëshmorëve nga Gegajt e Tropojës prehet në vendlindjen e tyre të respektuar nga populli i Kosovës.

About the Author

-

Leave a comment

You must be Logged in to post comment.